Lajmet, Logopedia

Çfarë është Logopedia?

Cfare eshte logopedia

Çfarë është Logopedia?

Logopedia është një fushë e cila praktikohet nga specialistë të quajtur logopedë, të cilët janë të aftë të vlerësojnë, diagnostikojnë dhe trajtojnë çrregullime të komunikimit, çrregullime konjitive, çrregullime të zërit dhe të gëlltitjes.

Logopedia fokusohet tek përmirësimi i të folurit të fëmijëve e të të rriturve dhe tek përmirësimi i aftësive për të kuptuar dhe për të shprehur gjuhën, përfshirë edhe gjuhën jo verbale.

 

Logopedia përfshin dy komponentë kryesorë:

1 – koordinimi i muskujve buko-facialë për të prodhuar tinguj, për të formuar fjalë dhe fjali (artikulim, rrjedhshmëri dhe rregullim i volumit të zërit)

2 – të kuptuarit dhe të prodhuarit të gjuhës (komunikimi përmes së folurit, shkruarit, trupit, shenjave, figurave dhe përdorimi i gjuhës nëpërmjet sistemeve alternative të komunikimit si media sociale, kompjuter dhe tableta).

Si prindër, ju vini re se fëmija juaj është dy vjeç dhe ai akoma nuk po flet, ju vini re se fëmija juaj edhe pse 5 vjeç ka një të folur bebe, ju vini re se fëmija juaj zgjedh disa persona për të folur dhe me pjesën tjetër të njerëzve përdor komunikimin jo – verbal, ju vini re se fëmija juaj belbëzon; për të gjitha pyetjet dhe dyshimet që ju kini në lidhje me komunikimin e fëmijës suaj mund t’i drejtoheni një logopedi.

Si shumë aftësi dhe etapa të tjera zhvillimi, mosha në të cilën fëmija mëson gjuhën dhe fillon të flasë ndryshon nga një fëmijë tek tjetri. Shumë fëmijë mund të gugasin fjalë si “mama” apo “dada” para se të mbushin 1 vit, e shumë fëmijë të tjerë mund të thonë rreth 20 fjalë para se të mbushin 18 muaj. Nga ana tjetër, mund të ketë fëmijë në moshën 2 vjeçare, të cilët nuk flasin akoma ose mund të krijojnë fjali me dy fjalë.

Për prindërit është shumë e rëndësishme të dinë se çfarë quhet normale dhe çfarë jo në zhvillimin e të folurit dhe të gjuhës së fëmijëve.

 

Cili është ndryshimi midis të folurit dhe gjuhës?

E folura është një shprehje verbale e gjuhës dhe përfshin edhe artikulimin (mënyra sesi tingujt dhe fjalët janë formuar).

Gjuha është sistemi i plotë i dhënies dhe marrjes së informacionit në mënyrë të kuptueshme. Gjuha kuptohet dhe e kuptojnë nëpërmjet komunikimit – verbal, jo verbal, shkrimi.

 

Çfarë janë vonesa gjuhësore dhe vonesa në të folur?

Një fëmijë me vonesë gjuhësore mund të artikulojë fjalë, por mund të jetë i aftë të ndërtojë fjali vetëm me dy gjymtyrë.

Një fëmijë me vonesë në të folur mund të përdorë fjalë dhe fjali për të shprehur mendimet e tij, por të tjerët e kanë të vështirë ta kuptojnë.

Please follow and like us: