Belbezim, Lajmet, Logoped, Logopedia

Fëmija im belbëzon, si mund ta ndihmoj?

Fëmija im belbëzon, si mund ta ndihmoj?

Problemet e mos- rrjedhshmërisë nuk janë të pazakonta tek fëmijët e vegjël gjatë të folurit të tyre. Fëmija mund të kalojë në faza që flet rrjedhshëm apo që nuk flet rrjedhshëm. Kjo mund të ndodhë pa pasur një arsye, apo në shumicën e rasteve ndodh për shkak se fëmija mund të jetë i emocionuar, i lodhur apo nxiton kur flet për diçka që e ka shumë për zemër.

Faktori kryesor dhe më i rëndësishëm për përcaktimin e beblbëzimit është numri i bllokimeve/përsëritjeve prezentë gjatë të folurit. Gjithashtu, nevojitet edhe vlerësimi nga specialisti, logopedi.

Përsa i përket ndihmës së prindërve ndaj fëmijës së tyre, ka shumë për të bërë dhe për të mos bërë në lidhje me këtë situatë. Në momentin që prindi flet me fëmijën e tij, ai duhet të ketë një të folur të ngadaltë, me zë të qetë dhe të relaksuar. Gjatë kohës që flisni me fëmijën tuaj, mundohuni që të përdorni fjalë të thjeshta, fjali të shkurtra; duke respektuar pushimet kur keni presje dhe kur mbaron një fjali e fillon një tjetër. Gjithashtu, kur të jeni duke folur me fëmijën tuaj, sigurohuni që ta dëgjoni me vëmendje atë çka po thotë fëmija, pa e ndërprerë, pa treguar padurim me mimikë apo edhe duke e përfunduar ju fjalinë që ai është duke thënë. Mundohuni që gjatë komunikimit me fëmijën tuaj ta shikoni në sy kur ai të jetë duke folur dhe ta inkurajoni nëpërmjet mimikës që ai të përfundojë fjalinë dhe të shprehë mendimet e tij. Fëmija e ka shumë të nevojshme të kuptojë që të tjerët kuptojnë atë që ai do të thotë e të shprehë.

Shumë e rëndësishme është që kjo mënyrë komunikimi me fëmijët të mos jetë vetëm me prindërit, por edhe me të afërmit e me mësuesit. Prindi mund të informojë të afërmit e mësuesit për këto teknika komunikimi që do ta ndihmonin fëmijën e tij. Prindi mund të kërkojë ndihmë edhe nga logopedi për të përgatitur një material informues e këshillues për të afërmit e mësuesit.

Please follow and like us: