Lajmet, Logopedia

Problematikat më të shpeshta të të folurit dhe të gjuhës tek të rriturit

Problematikat më të shpeshta të të folurit dhe të gjuhës tek të rriturit (adultët)

Të rriturit mund të hasen me vështirësi në të folur edhe të gjuhës për arsye nga më të ndryshmet.

Problematikat më të shpeshta të të folurit janë:

Apraksia

Apraksia është një çrregullim motor i të folurit. Mesazhet që nga truri për tek goja ndërpriten, personi me apraksi nuk mund të lëvizë gjuhën ose buzët në pozicionin e duhur për të artikuluar tingujt në mënyrë korrekte, edhe pse muskujt nuk janë të dobët. Personat me apraksi të të folurit e dinë se çfarë duan të thonë, por truri i tyre e ka të vështirë të koordinojë lëvizjet e nevojshme të muskujve për të artikuluar të gjithë tingujt në fjalë. Disa prej veçorive që shfaqen tek personat me apraksi janë:

  • Vështirësi në imitimin dhe prodhimin e tingujve, mund të vihen re shtrembërime të zërit, zëvendësime, etj.
  • Gabime gjatë të folurit
  • E folura është shumë e ngadaltë
  • Ritmi i dëmtuar dhe prozodia e fjalës
  • Rrjedhshmëri në të folurin automatik (si për shembull, përshëndetjet) sesa në biseda të qëllimshme
  • Pamundësi për të prodhuar ndonjë tingull në disa raste

Logopedi mund të punojë me persona me apraksi në të folur për të përmirësuar aftësitë e të folurit dhe aftësitë e komunikimit. Fokusi i ndërhyrjes është në përmirësimin e planifikimit, organizmin dhe koordinimin e lëvizjeve të muskujve për prodhimin e gjuhës.

Disartria

Disartria është një çrregullim motor i të folurit. Kjo rezulton nga lëvizja e dobësuar e muskujve të përdorur për prodhimin e gjuhës, duke përfshirë buzët, gjuhën, zërin dhe/ose diafragmën. Ajo shkaktohet nga një dëmtim i trurit. Lloji dhe ashpërsia e disartrisë varet nga zona që ka prekur sistemin nervor. Një person me disartri mund të shfaqë këto shenja:

  • E folur “e ngathët”, “e zhurmshme” ose “e mbytur”; e cila mund të jetë e vështirë të kuptohet
  • E folur e ngadaltë
  • E folur e shpejtë, por shume e mbytur; mërmëritje
  • Lëvizje të kufizuara të gjuhës, buzëve dhe nofullës
  • Ritëm jo normal gjatë të folurës
  • Ndryshme në cilësinë e zërit

Logopedi mund të vlerësojë një person me vështirësi në të folur dhe të përcaktojë natyrën dhe ashpërsinë e problemit. Logopedi do të shikojë lëvizjet e buzëve, gjuhës, muskujve të fytyrës si edhe frymëmarrjen dhe cilësine e zërit.

Belbëzimi

Belbëzimi ndikon në rrjedhshmërinë në të folur. Ai mund të fillojë gjatë fëmijërisë dhe në disa raste zgjat përgjatë gjithë jetës. Çrregullimi karakterizohet nga ndërprerje në prodhimin e tingujve gjatë të folurit. Për shembull, disa fjalë përsëriten dhe të tjera paraprihen nga “um” apo “uh”. Belbëzimi përfshin përsëritjen e fjalëve ose pjesëve të fjalëve, si dhe zgjatjen e tingujve të fjalës. Personat që belbëzojnë shepesh duken shumë të tensionuar dhe sikur “nuk kanë më frymë” për të folur. Disa persona me belbëzim zgjedhin që të mos flasin më, pra të mos kenë komunikim verbal.

Gjatë vlerësimit, logopedi do të jetë i vëmendshëm përsa i përket shpeshtësisë së mos- rrjedhshmërisë që personi prodhon në situata të ndryshme. Logopedi ndalet edhe tek reagimet e pacientit dhe mënyrën sesi ai përpiqet të menaxhojë belbëzimin. Gjithashtu, logopedi duhet të jetë i kujdesshëm për metodat e menaxhimit të belbëzimit për të mos ndikuar negativisht tek pacienti.

Zëri

Shpesh herë, ne kemi përjetuar probleme me zërin tonë, kur është i ngjirur apo kur nuk mund të nxjerrim tinguj. Ftohjet, alergjitë, bronkiti, brohoritje për ekipin tuaj të preferuar të futbollit, mund të çojnë në humbje zëri.

Problematikat më të shpeshta të gjuhës janë:

Afazia

Afazia është një çrregullim komunikimi që rezulton nga dëmtimi i pjesëve të trurit që janë përgjegjës për gjuhën. Afazia shkaktohet nga dëmtimi i trurit. Simptomat specifike dhe ashpërsia e afazisë ndryshojnë në varësi të vendndodhjes dhe shtrirjes së dëmtimit të trurit. Individët me dëmtim të pjesës së përparme të trurit mund të mos kenë rrjedhshmëri, por mund të kuptojnë mjaft mirë atë që njerëzit thonë. Personat që kanë dëmtime në rajonet e pasme të trurit mund të kenë rrjedhshmëri gjatë të folurit, por pa kuptim; gjithashtu ata nuk kuptojnë të tjerët kur flasin.

Personat me afazi mund të kenë të prekur një ose më shumë nga fushat e mëposhtme:

Vështirësi në prodhimin e gjuhës

Vështirësi në të kuptuarin e gjuhës

Vështirësi në lexim dhe shkrim

Problematikat më të shpeshta të shkaktuara nga gjendje shëndetësore:

Demenca

Demenca është një grup simptomash që lidhen me humbjen e kujtesës dhe dëmtimin e përgjithshëm konjitiv (njohës). Sëmundja e Alzeimerit është shkaku më i zakonshëm dhe më i studiuar i demencës. Njerëzit me demencë shpesh herë kanë nevojë për ndihmen dhe përkujdesjen e personave të tjerë në aktivitetet e përditshme. Simptomat e saj mund të jenë të ndyrshme në varësi të diagnozës. Në shumicën e rasteve, personat me demencë kanë një humbje graduale të kujtesës dhe të funksioneve të tjera konjitive.

Logopedët luajnë një rol të rëndësishëm në vlerësimin dhe trajtimin e tyre, për të menaxhuar defiçitet konjitive, të komunikimit dhe të gëlltitjes që lidhen me demencën.

Kanceri i laringut

Kanceri i laringut ndodh kur qelizat kanceroze formohen në indet e laringut.

Simptomat më të shpeshta të tij janë:

Ndryshim në zërin e tyre

Vështirësi në gëlltitje

Kollë e ashpër

Gulçim

Humbje në peshë

Dhimbje të shpeshta veshi

Kanceri i laringut kërkon ndërhyrje kirurgjikale. Pas saj, qëllimi parësor i logopedit është që pacienti të ketë një burim të ri të shëndoshë për të folur. Mundësitë që ekzistojnë janë:

E folura ezofagale – një person merr ajër përmes gojës, e ndalon tek fyti, më pas e lëshon atë

Laringu artificial – një person mund të përdorë instrument elektronik ose mekanik që i mundëson të folurën

Punktura trakeoezofagale – kjo proçedurë kirurgjikale është një nga metodat më popullore të prodhimit të të folurit. Kjo ndërhyrje mund të realizohet gjatë ndërhyrjes së parë të laringoktomisë ose pas saj.

Kanceri i gojës

Kanceri i gojës mund të prekë çdo pjesë së zgavrës së gojës, duke përfshirë buzët, nofullën e sipërme dhe të poshtme, gjuhën, mishrat e dhëmbëve, faqet dhe fytin. Kanceri i gojës mund të ndikojë në të folurën dhe gjatë gëlltitjes së personit. Kjo varet nga vendndodhja dhe madhësia e tij. Vlerësimi dhe trajtimi nga logopedi janë të rëndësishme për të rivendosur aftësitë e kuptueshmërisë gjatë të folurit dhe të gëlltitjes. Trajtimi konsiston në kontrollin më të mirë të muskujve që do ta ndihmojnë pacientin për të folur më qartë dhe në gëlltitje.

Dëmtimi i hemisferës së djathtë të trurit

Dëmtimi i trurit në hemisferën e djathtë kontribuon në një numër funksionesh, të tilla si vëmendja, kujtesa, arsyetimi dhe zgjidhja e problemeve. Ky dëmtim mund të çojë në ndërprerjen e këtyre proceseve konjitive, që sjell probleme në komunikim. Logopedi punën e tij kryesisht e përqëndron tek gjuha (kuptimi dhe shprehja) si edhe tek proceset konjitive (vëmendja, kujtesa, arsyetimi, zgjidhja e problemeve).

Please follow and like us: