Lajmet, Logopedia

Pse fëmija im belbëzon?

Pse fëmija im belbëzon?

“Për belbëzuesin, mbajtja e gojës do të thotë humb­je e kontrollit të të folurit, të spontanitetit, të kontak­tit me bashkëbiseduesin, pra humbje e një komunikimi real”. Belbëzimi është një çrregullim i rrjedhshmërisë dhe ritmit të të folurit të karakterizu­ara shpesh nga një ose disa dukuri të mëposhtme:

-Përsëritje e tingujve dhe rrokjeve;

-zgjatje e tingujve;

-pasthirrma pa lidhje gjatë të folurit;

-ndërprerje e fjalës (pauza të gjata, p.sh: gjatë thënies së një fjale);

-bllokime të zëshme ose jo (pauza gjatë të folurit të zëvendësuara ose jo nga diçka tjetër apo të lëna vakant);

-zëvendësim i fjalëve “të vështira” me të tjera;-tension fizik i madh gjatë thënies së disa fjalëve;-përsëritje e shpeshtë e fjalëve një-rrokëshe.

Belbëzimi është “normal” tek fëmijët midis moshës 2 dhe 5 vjeçare. Shumë fëmijë, në këtë periudhë mësojnë të përdorin gjuhën dhe të bashkojnë fjalë për të formuar fjali. Ai mund të zgjasë disa javë, por edhe disa muaj. Disa fëmijë e kalojnë këtë fazë pa pasur nevojë për ndihmën e një logopedisti. Por për disa të tjerë, belbëzimi bëhet pjesë e jetës së tyre, i cili sjell dhe probleme në shkollë dhe në funksionimin si adult.

Si prind, jeni shumë të interesuar për të ditur në qoftë se belbëzimi i fëmijës tuaj është “normal” apo duhet të shqetësoheni për të. Kryesisht, belbëzimi “problematik” shoqërohet me tension dhe mbledhje të muskujve të fytyrës; mund të vini re ndryshim të zërit tek pjesëza që fëmija përsërit; fëmija mund të ndjehet në siklet dhe në tension kur i duhet të flasë; kryesisht eviton situata ku fëmijës i duhet të flasë.

Kur mendoni që fëmija mund të jetë belbëzues, gjithmonë ju shkon mendja tek pyetja: Pse fëmijës tim. Specialistët flasin për tre faktorë kryesorë që “ndihmojnë” belbëzimin:

  1. Belbëzimi mund të jetë gjenetik, por kjo nuk është vërtetuar akoma shkencërisht. Nga statistikat rezulton se 60% e fëmijëve që belbëzojnë, kanë pasur një person belbëzues në familjen e tyre.
  2. Zhvillimi i fëmijës- Fëmijët që shfaqin probleme të tjera të të folurit dhe të gjuhës janë më të prirur të belbëzojnë.
  3. Dinamikat familjare- Belbëzimi tek disa fëmijë ka ardhur si pasojë e pritshmërive të larta të prindërve.

Kur është momenti i duhur për t’u drejtuar tek një specialist?

Në qoftë se fëmija juaj është 5 vjeç dhe ai vazhdon të belbëzojë, këshillohet që të konsultoheni me një logopedist. Ai do të bëjë vlerësimin e fëmijës dhe do të përcaktojë në qoftë se belbëzimi do të jetë i shtrirë në kohë apo kalimtar.

E rëndësishmë është që të dimë se nuk ka kurë për belbëzimin dhe nuk ekzistojnë ende medikamente që e trajtojnë. Logopedisti punon direkt me fëmijën për të zhvilluar teknika individuale të sjelljes që do ta ndihmojnë fëmijën për të mos belbëzuar. Terapia logopedike nuk është asnjëherë njësoj për të gjithë fëmijët, ajo krijohet në bazë të rrethanave.

Please follow and like us: