Shëndeti psikologjik është aspekti më i stigmatizuar dhe aspak i përmendur gjatë zhvillimit të një fëmije. Në bazë të statistikave botërore problematikat e shëndetit mendor janë më të përhapura se problematikat e shëndetit fizik.
Sipas OBSH, 1 në 4 persona preken nga çrregullime psikologjike ose neurologjike në një moment të caktuar të jetës së tyre. Të tilla problematika janë universale dhe mund të prekin të gjithë njerëzit pavarsisht vendndodhjes, statusit social, moshës, gjinisë dhe statusit ekonomik.
Ekzistojnё disa qasje në lidhje me mënyrën se si sëmundjet psikologjike shikohen nga popullsia. Shumë individ, i quajnë si dështime personale, si një paaftësi e tyre për të funksionuar dhe për t’u përshtatur me mjedisin dhe njerёzit e tjerё. Por Dr. Gro Harlem Brunntland, i cili është drejtori i përgjithshëm i OBSH, shprehet: “Në fakt, dështimi personal mund të vihet re në mënyrën se si tё tjerёt reagojnë ndaj personave me probleme psikologjike”. Ndërsa disa të tjerë, thjesht mohojnë ekzistencën e tyre duke çuar në përkeqësimin e simptomave.
Duke marrë parasysh të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 45 milion individë në të gjithë botën janë aktualisht të prekur nga çrregullimet psikologjike duke i çuar këto te fundit në arsyen primare të sëmundjeve/problematikave më të mëdha.
Përsa i përket fëmijëve 1 në 10 janë të prekur nga çrregullimet psikologjike dhe rreth 70 % e tyre nuk ndiqen nga profesionistët e duhur. Një shëndet i mirë mendor i lejon fëmijëve dhe të rinjve tё sotëm të jenë më elastik për të përballuar çdo vështirësi dhe të rriten në mënyrë të shëndetshme.
Terapia është një mënyrë efikase për t’i ndihmuar fëmijët dhe adoleshentët të tejkalojnë problematikat që mund t’i shkaktojë e tashmja dhe të ndërtojnë strategji tё shёndetshme për të ardhmen; mund të ndihmojë në formimin e qëllimeve për jetën dhe të kuptojnë veten e tyre. Përgjatë gjithë terapisë ata diskutojnë rreth emocioneve dhe sjelljeve të tyre në një vend të sigurt. Terapisti ndihmon që atoa të kuptojnë më mirë emocionet e tyre, si dhe të zhvillojnë sjellje që mund t’i ndihmojnë ata të përshtaten më lehtё me mjediset e reja. Terapia ndihmon në ndërtimin e vetvlerësimit, rregullimin e marredhënieve dhe krijimin e një pikëpamje për të ardhmen.
Duke dëshiruar të krijojmë fëmijën e së ardhmes, harrojmë fëmijën e të tashmes – Stacia Tauscher