Çfarë janë vonesa gjuhësore dhe vonesa në të folur?
Një fëmijë me vonesë gjuhësore mund të artikulojë fjalë, por mund të jetë i aftë të ndërtojë fjali vetëm me dy gjymtyrë.
Një fëmijë me vonesë në të folur mund të përdorë fjalë dhe fjali për të shprehur mendimet e tij, por të tjerët e kanë të vështirë ta kuptojnë.
Cilat janë shenjat e një vonese gjuhësore dhe një vonese në të folur?
Një fëmijë që nuk iu përgjigjet tingujve ose një fëmijë që nuk vokalizon; duhet të konsultohet me një specialist. Shpesh, për prindërit është e vështirë të kuptojnë në qoftë se fëmija i tyre kërkon edhe pak më shumë kohë për të arritur hapat e zhvillimit të gjuhës dhe të të folurit apo në qoftë se fëmija ka vërtet diçka problematike që kërkon konsultimin me specialistin.
Disa shenja që mund të kërkojnë këshillimin e specialistit, mund të jenë:
- Rreth 12 muaj; fëmija nuk përdor gjeste, si tregimi me gisht apo tundja e dorës “paçim – paçim”
- Rreth 18 muaj; preferon komunikimin jo- verbal në vend që të vokalizojë për të komunikuar
- Rreth 18 muaj; fëmija e ka të vështirë të imitojë tinguj; e ka të vështirë të kuptojë kërkesa verbale të thjeshta
- Rreth 2 vjeç; mund të imitojë të folurin ose veprime të të tjerëve; por nuk prodhon fjalë ose fraza në mënyrë spontane
- Rreth 2 vjeç; fëmija artikulon shpesh vetëm disa tinguj apo fjalë; por nuk mund të komunikojë nëpërmjet të folurit (komunikimit verbal)
- Rreth 2 vjeç; nuk mund të ndjekë komanda të thjeshta
- Prindërit e kanë të vështirë të kuptojnë fëmijën e tyre; prindërit duhet të kuptojnë rreth gjysmën e asaj që fëmija thotë në moshën 2 vjeçare, e më shumë e 3/4 në moshën 3 vjeçare, në moshën 4-5 vjeçare fëmija duhet të kuptohet pothuajse nga të gjithë.
Çfarë i shkakton vonesat gjuhësore dhe ato të të folurit?
Një vonesë në të folur tek një fëmijë që ka pasur një zhvillim në bazë të moshës përkatëse, mund të vijë për shkak të problemeve që lidhen me gjuhën apo qiellzën. Edhe një frenulum i shkurtër (filli i gjuhës) mund të kufizojë lëvizjen e gjuhës për prodhimin e të folurit.
Shumë fëmijë me vonesa në të folur kanë probleme me muskujt që marrin pjesë gjatë të folurit. Kjo gjë ndodh kur ka një problem në pjesën e trurit që është përgjegjëse për të folurën, duke e bërë të vështirë koordinimin e buzëve, gjuhës e nofullës për të prodhuar tinguj. Kjo mund të sjellë edhe vështirësi në ushqyerje.
Problemet e dëgjimit janë gjithashtu të lidhura me vonesën në të folur. Kjo është arsyeja se pse një audiolog duhet të provojë dëgjimin e fëmijës sa herë që ka një shqetësim në të folur. Fëmijët që kanë humbje të dëgjimit, mund të kenë vështirësi të artikulojnë, të kuptojnë, imitojnë dhe të përdorin gjuhën.
Infeksionet e veshëve, sidomos infeksionet kronike, mund të ndikojnë në dëgjim. Infeksionet e thjeshta të veshit që janë trajtuar, nuk ndikojnë tek e folura. Për sa kohë që fëmija nuk ka humbje të dëgjimit të paktën në njëri vesh, e folura dhe gjuha do të zhvillohen normalisht.
Si diagnostikohen vonesat gjuhësore dhe vonesat në të folur?
Nëse ju ose mjeku i fëmijës mendoni se fëmija mund të ketë një problem me të folurin, është shumë e rëndësishme të bëni një vlerësim të hershëm në një logoped.
Logopedi do të mund të vlerësojë aftësitë e të folurit dhe të gjuhës së fëmijës në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm. Ai do të realizojë disa teste, në bazë të shqetësimit, e më pas do të punojë direkt me fëmijën për të parë zhvillimin e gjuhës dhe të të folurit.
Logopedi vlerëson edhe:
- Çfarë fëmija kupton (gjuha receptive)
- Çfarë fëmija thotë (gjuha ekspresive)
- Nëse fëmija juaj po përpiqet të komunikojë në mënyra të tjera, për shembull, duke treguar me gisht, duke bërë gjeste, duke tundur kokën, etj.
- Artikulimi i tingujve dhe qartësia në të folur
- Lëvizshmëria e muskujve oralë (sesi goja, gjuha, qiellza, etj punojnë së bashku për të folur, për të ngrënë dhe për të gëlltitur)
Logopedi rekomandon terapinë e duhur për fëmijën në bazë të rezultateve të nxjerra gjatë vlerësimit.
Ku përqëndrohet terapia?
Logopedi do të punojë për të përmirësuar aftësitë gjuhësore dhe të të folurit të fëmijës; ai harton edhe një program se çfarë prindërit duhet të punojnë me fëmijën.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Përfshirja e prindërve në këtë proçes është shumë e rëndësishmë për të ndihmuar fëmijët të përmirësojnë aftësitë e tyre gjuhësore dhe në të folur. Prindërit duhet të kalojnë shumë kohë duke komunikuar me fëmijët e tyre, prindërit duhet t’iu lexojnë fëmijëve sa më shumë, prindërit duhet të tregohen të vëmendshëm për të shfrytëzuar situata të jetës së përditshme për t’i përdorur për të përforcuar aftësitë gjuhësore dhe të të folurit të fëmijës.