Lajmet, Logopedia

Zhvillimi i të folurit dhe i gjuhës në moshë të hershme

logopedia ne moshe te hershme

Zhvillimi i të folurit dhe i gjuhës nga mosha 0 deri 5 vjeç

Kur fëmijët i zhvillojne aftësitë e të folurit dhe gjuhës?

Stadet e zhvillimit të të folurit dhe të gjuhës janë të njëjta për të gjithë fëmijët, por mosha se kur këta fëmijë i zhvillojnë këto aftësi mund të variojë.

Gjatë kontrolleve rutinë që bën fëmija tek pediatri, vihen re në qoftë se fëmija po i zhvillon në kohën e duhur këto aftësi apo jo.

0 – 12 muaj

Deri në ditëlindjen e parë, fëmijët duhet të përdorin zërin e tyre për t’u lidhur me mjedisin ku jetojnë. Murmuritja dhe gugatja janë fazat e hershme të zhvillimit të të folurit. Rreth 9 muajsh, fëmija fillon të lidhe disa tinguj bashkë, përdor tone të ndryshme të të folurit dhe thotë fjalë si “mama” apo “dada” (pa e kuptuar me të vërtetë se çfarë do të thotë kjo fjalë).

Para se të mbushin 12 muaj, fëmijët i kushtojnë vëmendje edhe tingujve dhe fillojnë të njohin emërtimet e objekteve më të shpeshta, si për shembull topi. Fëmijët e vegjël që ndjekin me vëmendje me sy, por nuk reagojnë ndaj zërit, mund të tregojnë shenja të humbjes së dëgjimit.

12- 15 muaj

Fëmijët në këtë moshë duhet të kenë një ndryshim të dukshëm në tingujt gjatë gugatjes (si p, b, m, d ose n), ata fillojnë të imitojnë tinguj dhe fjalë që dëgjojnë, dhe shpesh thonë një ose më shumë fjalë (duke mos përfshirë mama, baba, dada). Fjalët e para mund të jenë “bebi”, “topi”, etj. Gjithashtu, fëmijët duhet të jenë të aftë të kuptojnë dhe të ndjekin një udhëzim (si “të lutem më jep topin”, etj).

18 – 24 muaj

Pjesa më e madhe (pra jo të gjithë) fëmijët mund të thonë rreth 20 fjalë kur janë 18 muajsh dhe 50 ose më shumë fjalë kur bëhen dy vjeç. Në moshën dy vjeçare, fëmijët fillojnë të kombinojnë dy fjalë për të krijuar fjali të thjeshta, si për shembull “bebi qan” ose “babi puna “. Një dy vjeçar duhet të dallojë objekte të njëjta (që mund të jenë realë dhe në fotografi); të tregojë me gisht hundën, sytë apo veshin kur ia kërkojnë; dhe të ndjekë udhëzime me dy komanda (të lutem merr topin dhe ma jep mua)

2 – 3 vjeç

Në këtë moshë prindërit vënë re ndryshime të mëdha tek e folura e fëmijëve të tyre. Fjalori i një fëmije në këtë moshë rritet shumë (vështirë të numërohen fjalët) dhe ata mund të kombinojnë tre ose më shumë fjalë për të formuar fjali.

Kuptueshmëri pëson rritje – në moshën 3 vjeçare, një fëmijë duhet të fillojë të kuptojë se çfarë do të thotë “vendose mbi tavolinë” dhe “vendose nën tavolinë”. Gjithashtu, fëmijët duhet të njohin ngjyrat dhe të kuptojnë të kundërtat (I madh – I vogël).

3 – 4 vjeç

Në këtë moshë fëmija është i aftë të kuptojë pyetje të thjeshta: Kush? Ku? apo Kur?. Fjalitë janë më të gjata, fëmija ka aftësinë të përdorë më shumë se katër fjalë në fjali. Fëmija flet rreth ngjarjeve që ka parë kur nuk ka qënë në shtëpi, kryesisht në kopsht për gjërat e reja që ka mësuar e për shokët e shoqet, apo edhe për situata që ai i has në rrugë. E folura në këtë moshë është e qartë edhe personat jashtë familjes mund të kuptojnë se çfarë fëmija është duke thënë.

4 – 5 vjeç

Fëmijëve në këtë moshë ju pëlqen shumë të dëgjojnë përralla dhe janë të aftë t’iu përgjigjen pyetjeve të thjeshta rreth tyre. Fëmijët flasin qartë dhe rrjedhshëm, duke ndërtuar edhe fjali të komplikuara. Gjithashtu, në këtë moshë ata mund të tregojnë histori imagjinare duke përdorur tek-tuk edhe “fjalë të mëdha” që dëgjojnë nga të rriturit. Vështirësi mund të hasen me shqiptimin e shkronjave “r”, “v”, “dh” e “th”, të cilat fitohen me kalimin e kohës.

Please follow and like us: