Pse prindërit duhet t’iu lexojnë libra fëmijëve që në moshë të hershme?
Një nga ushqimet më të mira që prindi mund t’i japë fëmijës është leximi i librave për fëmijë me zë të lartë. Njësoj si ushqimi që ju japin fëmijëve çdo ditë, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me leximin – çdo ditë një tregim, një përrallë apo një libër. Studimet tregojnë se leximi me zë të lartë, i ndihmon shumë fëmijët për të folur, për të ndërvepruar e për të krijuar një lidhje të fortë me prindërit; gjithashtu i ndihmon shumë që të mësojnë të lexojnë më herët. E rëndësishme është që leximi nga prindërit të vazhdojë edhe pasi fëmijët kanë mësuar të lexojnë sepse kjo i ndihmon që të krijojnë një lidhje shumë më të fortë me prindërit e tyre dhe i ndihmon që të kuptojnë më mirë botën rreth tyre.
Përfitimet e leximit që në moshë të hershme janë të shumta. Një prejt tyre është se ky proçes ndihmon në zhvillimin e trurit të fëmijës, sinapset krijojnë lidhje midis neuroneve të fëmijës në kohën që ju jeni duke lexuar, veprim që ndikon pozitivisht në zhvillimin e shumë zonave të trurit të fëmijës.
Leximi është një mënyrë shumë e mirë edhe për të rritur fjalorin e fëmijës, së pari fjalorin e tij për të të kuptuar dhe më vonë fjalorin e tij të të folurit.
Leximi është një nga faktorët kryesorë që nxit imagjinatën e fëmijës, gjë që televizori apo tableta e kufizon.
Leximi rrit përqëndrimin tek fëmija, ai ndjek faqet e librit kur prindi i kalon, ai ndjek me sy figurat që prindi i tregon me gisht. Kur fëmijët shikojnë një figurë të një topi jeshil në libër dhe prindi e emërton topin, fëmija fillon të bëjë lidhjen midis asaj që ju thoni e ai dëgjon dhe figurës së topit jeshil. Sa më shumë që ju të lexoni të njëjtin libër, aq më e fortë do të bëhet kjo lidhje.
Kur flasim për pjesën se leximi duhet të jetë i përditshëm dhe i shpeshtë, nuk nënkuptohet se çdo ditë do të duhet të lexoni një libër të ri; përkundrazi, një libër mund ta lexoni shumë herë duke zgjedhur mënyra të ndryshme: një herë lexoni tekstin, një herë përshkruani figurat që shihni tek libri, një herë lexojeni librin të bazuar në pyetje-përgjigje.
Gjeni librat në bazë të moshës së fëmijës suaj dhe mos ndaloni së ujitur mendjen e fëmijës suaj, i cili në të ardhmen do t’iu falenderojë për këtë gjë.