Lajmet, Logoped, Logopedia

Si ndikon mbajtja e gishtit në gojë tek e folura dhe tek gëlltitja e fëmijës?

Si ndikon mbajtja e gishtit në gojë tek e folura dhe tek gëlltitja e fëmijës?

Thithja është instikti i parë i bebit. Thithja apo siç e quajmë ndryshe në këtë rast futja e gishtit në gojë është normale dhe tregon një normalitet në zhvillimin e fëmijës. Ka fëmijë që këtë veprim e bëjnë shumë shpesh, por ka edhe të tjerë që e bëjnë rrallë. Nevoja për të thithur gishtin fillon të reduktohet rreth moshës 6 mujore kur fëmija fillon të hajë ushqime solide dhe stopohet rreth moshës 12 mujore.

Pas moshës dy vjeçare, futja e gishtit në gojë mund të jetë problem. Futja e gishtit mund të çojë në “malokluzion” që do të thotë se bashkimi i dhëmbëve lart dhe i dhëmbëve poshtë nuk realizohet në mënyrë korrekte. Kryesisht, vihet re se dhëmbët lart janë më të dalë jashtë se pozicionimi i tyre normal.

Përtypja e ushqimit mund të jetë shumë e vështirë për disa fëmijë për shkak të pozicionimit të dhëmbëve. Një problem tjetër i shkaktuar nga “gishti në gojë” mund të jetë deformimi facial, për shembull dalja më përpara e dhëmbëve dhe e nofullës së sipërme ndikon në formën dhe pamjen e fytyrës.

Futja e gishtit në gojë mund të ndikojë edhe në të folurën e fëmijës. Për shkak të pozicionimit të keq të dhëmbëve, vihet re një artikulim jo korrekt për shkronjat s/z/t/d/n/l/sh/ç, gjuha tenton të takojë dhëmbët lart dhe për këtë arsye duke tentuar t’i prekë ato, shkaktohet mos artikulimi korrekt i tingujve të mësipërm.

Një prej mënyrave të heqjës së gishtit nga goja është shpërblimi apo fjalët lavdëruese që mund t’i thoni fëmijës në momentin që ai nuk e ka futur gishtin tek goja. Në këtë rast është shumë e rëndësishme të jeni të vëmendshëm për të shpërblyer fëmijën në çdo moment që nuk e ka futur gishtin.

Një mënyrë tjetër do të ishte mos lënia e duarve “të lira”, pra jepini lodra fëmijës në duar të cilat do ta mbajnë të zënë dhe ai nuk do ta ketë mendjen tek futja e gishtit në gojë.

Në fakt, duket sikur janë probleme të vogla dhe dhe mund të mos jenë shqetësuesë, por ndërhyrja e hershme ndihmon në rikuperimin e tyre; por ideale do të ishtë që fëmijës t’i hiqej zakoni i futjes së gishtit në gojë (deri në moshën 1 vjeçare).

Please follow and like us: