Lajmet, Logopedia

Filli i gjuhës (Ankiloglosia)

Filli i gjuhës (Ankiloglosia)

Para se ne të lindim, një fill i fortë indor që drejton zhvillimin e strukturës së gojës, pozicionohet në qëndër të gojës. Ajo quhet frenulum. Pas lindjes, frenulumi lingual vazhdon të drejtojë pozicionimin e dhëmbëve që do të dalin. Me rritjen e fëmijës, ky fill bëhet më i hollë dhe me i vogël.  Frenulum është mjaft i dukshëm në momentin që shikoni në pasqyrë pjesën e poshtme të gjuhës. Tek disa fëmijë, frenulum është shumë i tendosur dhe tepër i dukshëm dhe kjo mund të sjellë probleme në lëvizshmërinë e gjuhës.

Gjuha është një nga muskujt më të rëndësishëm të të folurit dhe të të gëlltiturit. Për këtë arsye, në qoftë se është i pranishëm ky fill, çon në probleme me të ngrënin dhe të folurin, të cilat mund të jenë shumë serioze për disa individë.

Kur filli i gjuhës konsiderohet si një problem që duhet trajtuar?

Tek foshnjat, të pasurit e një filli shumë të tendosur mund të shkaktojë probleme në thithje dhe kjo sjell shtim të pakët në peshë. Problemet e të ushqyerit duhen diskutuar me pediatrin, i cili mund t’iu drejtojë tek një otolaringolog për trajtim të mëtejshëm.

Tek fëmijët, ndërsa gjuha është e aftë për të kompensuar dhe shumë fëmijë nuk kanë probleme të të folurit për shkak të fillit, disa të tjerë mund të kenë. Rreth moshës tre vjeçare, problemet në të folur, sidomos artikulimi i shkronjave – l, r, t, d, n, th, sh dhe z mund të vihet re. Vlerësimi kryesisht bëhet kur më shumë se gjysma e të folurit të fëmijës nuk është i kuptueshëm për personat e tjerë jashtë familjes. Gjithashtu, mund të jenë disa karakteristika të veçanta që mund të bëjnë të mendohet që fëmija me ankiloglosi do të ketë probleme me të folurën, të cilat janë:

  • Forma e shkronjës V tepër e dukshme tek maja e gjuhës
  • Pamundësia për të nxjerrë gjuhën jashtë duke prekur mishrat e sipërme
  • Pamundësia për të prekur pjesën e sipërme të gojës
  • Vështirësia pëe rë lëvizur gjuhën nga njëra anë tek tjetra

Një test i thjeshtë për prindërit, do të ishte një lëpirëse apo një akullore në kaush. A mundet fëmija t’i lëpijë pa pasur vështirësi?

Në rastet kur specialistët rekomandojnë ndërhyrje kirurgjikale, është e këshillueshme që të realizohet. Frenulektomia, ndërhyrja kirurgjikale e fillit të gjuhës, është një proçedurë shumë e thjeshtë; e cila normalisht nuk shoqërohet me komplikacione.

Përftitimet e realizimit të kësaj ndërhyrje, nuk do të jenë thjesht për një performancë më të mirë në të folur, por kjo gjë do të rrisë vetëbesimin tek fëmija.

Please follow and like us: