Lajmet, Logoped, Logopedia, Lojëra

Aktivitete dhe lojëra për fëmijë (mosha 4 vjeç)

Aktivitete dhe lojëra për fëmijë (mosha 4 vjeç)

Aktiviteti më i preferuar i fëmijëve në ditët e sotme është “celulari” apo “tableta”. Fëmijët kalojnë shumë kohë në këto pajisje dhe momenti i vetëm kur ata mund të luajnë vërtet me lodra është kopshti. Ajo se çfarë ata kanë gjetur dhe tashmë e duan në ambjentet jashtë kopshtit është celulari i mamit që të shikojnë video për fëmijë apo të luajnë me aplikacione të ndryshme. Gjithashtu, ka edhe shumë prindër të cilët i kanë thënë JO këtyre pajisjeve dhe preferojnë që të kalojnë kohë me fëmijët e tyre duke luajtur.

Për të ndihmuar çdo prind, të cilët duan të kalojnë kohë me fëmijët e tyre, më poshtë janë të renditura disa ide aktivitetesh e lojërash. Përveç pjesës argëtuese, këto aktivitete e lojëra ndikojnë edhe në zhvillimin konjitiv të fëmijës.

Shpejt apo ngadalë?

Kjo lojë ndihmon fëmijën që të kuptojë sesi lëvizin objektet. Merrni objekte të ndryshme si makina lodra, letër higjenike, kuba, kafshë pellushi, libra, lapsa, etj. Tavolinën e lojës vendoseni mbi një tavolinë të ulët, që të mund të krijojë një kend. Më pas, mund të përdorni objekte të tjera si, karrige, rraft që të mund të krijohen kënde me madhësi të ndryshme. Fëmija duhet t’i testojë këto objekte, duke u nisur nga një plan i pjerrët. Ai do të vërë re se disa objekte lëvizin shpejt (si makinat lodra), dhe disa objekte të tjera lëvizin ngadalë ose nuk lëvizin (si kubat, blloqet e rënda). Së bashku me fëmijën, klasifikoni objeket të cilat rrëshkasin, rrotullohen dhe ato objekte që nuk lëvizin. Zhvillimi i kësaj loje do ta ndihmojë fëmijën në zhvillimin konceptual dhe në kuptimin e konceptit “shkak-pasojë”.

Për këtë lojë nevojitet një tavolinë loje e gjatë ose një dërrase e gjatë, karrige, objekte të ndryshme që rrotullohen dhe rrëshkasin.

Aktiviteti zhvillohet në fillim të moshës 4 vjeçare.

E majta – e djathta

Aktiviteti i radhës do ta ndihmojë fëmijën që të kuptojë anën e djathtë dhe anën e majtë. Vendosni një ngjitëse të kuqe në dorën e majtë të fëmijës dhe një ngjitëse blu në dorën e tij të djathtë. Shpjegojini fëmijës se ngjitësja e kuqe është në dorën e majtë dhe ngjitësja blu është në dorën e djathtë. Në vend të ngjitësave me ngjyra, mund të përdoren marker me ngjyrë të kuqe dhe blu. Më pas luani disa lojëra, si për shembull: thuajini fëmijës që të çojë lart dorën e djathtë, thuajini fëmijës që të prekë barkun e tij me dorën e majtë, etj. Këtë lojë duhet ta zhvilloni disa herë për përforcimin e këtyre koncepteve. Gjithashtu, ju mund të përdorni edhe një kosh, tek i cili mund të fusni lodrat e fëmijës dhe më pas udhëzoni fëmijën për të kapur një herë një lodër me dorën e majtë dhe herën tjetër me dorën e djathtë. E rëndësishme është që në këto lojëra, edhe fëmija do të japë udhëzime për ju, kjo do ta ndihmojë për respektimin e radhës gjatë lojërave që luan jo vetëm me prindërit, por edhe me shokët e shoqet. Kjo lojë do të ndihmojë fëmijën për të mësuar konceptin majtas – djathtas, zhvillon gjuhën e të folurin, ndihmon në njohjen dhe identifikimin e pjesëve të trupit.

Për këtë aktivitet nevojiten ngjitëse me ngjyra apo marker me ngjyra, një kosh, lodra.

Aktiviteti zhvillohet në fillim të moshës 4 vjeçare.

Kafshët e tokës, ajrit dhe ujit

Ky aktivitet do ta ndihmojë fëmijën të klasifikojë kafshët (e tokës, ajrit dhe ujit). Vini re nëse fëmija juaj është i aftë të bëjë dallimin midis kafshëve të tokës, të ajrit dhe të ujit kur është duke parë libra apo revista me kafshë. Gjithashtu, mund të krijoni dhe një album, ku secila faqe do të ketë një kategori të caktuar. Një mënyrë tjetër argëtuese që mund ta zhvilloni me fëmijën jashtë ambjenteve të shtëpisë, është vajtja në një dyqan kafshësh. Shumëllojshmëria e kafshëve në dyqan nuk është aq e madhe sa tek figurat, revistat; por është një mënyrë tepër tërheqëse për fëmijët. Në këtë aktivitet fëmija aftësohet për zhvillimin konceptual dhe për klasifikim e kategorizim (në këtë rast, të kafshëve).

Për këtë aktivitet nevojiten revista me kafshë, libra me kafshë, figura me kafshë.

Aktiviteti zhvillohet rreth moshës 4 vjeç.

Lindje dhe perëndim

Para zhvillimit të këtij aktiviteti, duhet që ta keni informuar më parë fëmijën në lidhje me konceptin e lindjes dhe perëndimit. Tregojini drejtimin se nga lind dielli duke i thënë që ajo është “lindja” dhe tregojini drejtimin nga perëndon dielli duke i thënë që ai është “perëndimi”. Luani lojëra me këto koncepte, si për shembull: thuajini fëmijës të bëjë dy hapa në lindje, më pas tre kërcime në perëndim, etj. Kërkojini fëmijës që t’iu tregojë një dritare që bie nga lindja dhe një derë që është në perëndim. Me pak praktikë, ai do të orientohet shumë mirë përsa i përket drejtimit (lindje- perëndim). Gjithashtu, mund të vendosni tabela “Lindje”, “Perëndim” në shtëpi, që fëmija ta ketë më të lehtë dhe t’i mësojë më shpejt këto koncepte. Ky aktivitet e ndihmon fëmijën për orientimin në hapësirë dhe zhvillimin konceptual.

Për këtë aktivitet mund të nevojiten kartona e marker.

Aktiviteti mund të zhvillohet rreth moshës 4 vjeç e gjysëm.

Shijimi i shijeve të ndryshme

Një aktivitet interesant është “Shijimi me sy të mbyllura”. Lidhni sytë e fëmijës me një shall. Jepini fëmijës që të provojë çdo ushqim, duke përdorur të njëjtën sasi. Edhe mund t’ia tregoni dhe mund të mos ia tregoni fëmijës llojet e ushqimeve që keni zgjedhur. Më pas, lëreni fëmijën të bëjë të njëjtën gjë me juve, duke ju dhënë ai të provoni ushqimin. Më pas, diskutoni rreth shijeve të ushqimeve (të kriprua, të ëmbla, të tharta, etj). Ky aktivitet ndikon në zhvillimin konceptual, diferencimet e shijeve.

Për këtë aktivitet nevojiten ushqime të ndryshme (të njohura/shijuara nga fëmija), të cilat mund të hahen me lugë.

Aktiviteti mund të zhvillohet në fund të moshës 4 vjeçare.

Please follow and like us: